Gjonaj Holdings merr pjesë në FII PRIORITY Europe 2026 në Romë
22 qershor 2026
Gjonaj Group Holdings mori pjesë në konferencën ndërkombëtare FII PRIORITY Europe 2026, e zhvilluar në Romë, Itali, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare që bën bashkë liderë biznesi, investitorë, politikëbërës dhe përfaqësues të sektorëve strategjikë globalë. Kryetari i Bordit të Gjonaj Holdings, z. Marin Gjonaj, mori pjesë në këtë konferencë me ftesë të FII Institute, duke përfaqësuar vizionin e Gjonaj Group për zgjerim ndërkombëtar, forcim partneritetesh dhe zhvillim të bashkëpunimeve në sektorë me rëndësi strategjike, si telekomunikacioni dhe energjia.
FII PRIORITY Europe 2026 u zhvillua nën temën “Europe Reimagined: Capital, Sovereignty & Strategic Autonomy”, duke vendosur në qendër të diskutimeve rolin e kapitalit, inovacionit, infrastrukturës, energjisë, teknologjisë dhe partneriteteve ndërkufitare në rritjen e konkurrueshmërisë afatgjatë të Evropës.
Ne forum, u zhvilluan një sërë takimesh me partnerë potencialë dhe aktorë ndërkombëtarë, me fokus identifikimin e mundësive të reja për bashkëpunim, zgjerim të rrjetit të partneriteteve dhe forcim të pozicionimit të Gjonaj Group si një markë shqiptare në tregjet ndërkombëtare. “Pjesëmarrja në FII PRIORITY Europe 2026 ishte një mundësi më shumë në rrugëtimin ndërkombëtar të Gjonaj Group. Ky forum krijoi një platformë efektive për dialog dhe identifikim të mundësive të reja për partneritete në sektorë kyç për ne, si telekomunikacioni dhe energjia,” u shpreh z. Gjonaj. Gjonaj Group Holdings operon me zyra dhe përfaqësi në Romë përmes tre kompanive, ProMarketing Albania & Italia, INFOTelecom dhe Ener Trade.
Forumi u përshëndet edhe nga personalitete të rëndësishme të jetës politike dhe institucionale italiane, përfshirë Kryetarin e Bashkisë së Romës, z. Roberto Gualtieri, si dhe Kryeministren e Italisë, znj. Giorgia Meloni, duke theksuar rëndësinë e Romës si një qendër ndërkombëtare dialogu për investimet, inovacionin dhe zhvillimin ekonomik.