Gjonaj Group, merr pjesë në Bled Strategic Forum 2026 në Slloveni

1 shtator 2026

Kryetar i Bordit të Gjonaj Group, Z. Marin Gjonaj, mori pjesë, me ftesë të organizatorëve, në Bled Strategic Forum 2026, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të dialogut politik, ekonomik dhe strategjik në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Edicioni i 21-të i Bled Strategic Forum u zhvillua më 31 gusht–1 shtator 2026, nën temën “The Power to Shape the Future”, duke sjellë së bashku liderë politikë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, drejtues të kompanive, ekspertë dhe vendimmarrës për të diskutuar mbi sfidat që po formësojnë të ardhmen e Evropës dhe të rendit ndërkombëtar. Ceremonia zyrtare e hapjes përfshiu fjalën e mirëseardhjes të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tone Kajzer, si dhe fjalën kryesore të Kryeministrit slloven Janez Janša. Forumi vijoi me një sesion të nivelit të lartë të kryeministrave, ku morën pjesë Kryeministri i Republikës Çeke Andrej Babis, Kryeministri i Sllovenisë Janez Janša, Kryeministri i Hungarisë Péter Magyar dhe Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenković. Presidentja e Sllovenisë Nataša Pirc Musar dhe Presidenti i Sllovakisë Peter Pellegrini zhvilluan gjithashtu një diskutim presidencial të posaçëm. Shqipëria u përfaqësua në nivel të lartë nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha, i cili mori pjesë edhe në panelin “Enlargement or Irrelevance? Europe’s Next Geopolitical Tool”, kushtuar zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rolit të tij si instrument strategjik në realitetin e ri gjeopolitik. Në forum morën pjesë gjithashtu përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare, si edhe drejtues dhe përfaqësues të kompanive të njohura ndërkombëtare, ndër to Lockheed Martin, Fraport, Bayer, Novartis, TikTok, Telekom Slovenije dhe Infobip, duke e bërë BSF një hapësirë të rëndësishme jo vetëm për dialogun politik, por edhe për krijimin e lidhjeve mes politikëbërjes, ekonomisë dhe sipërmarrjes. Gjonaj Group Holdings është i pranishëm në tregun slloven me kompaninë ETMT Energy Doo me seli në Lubjanë. ETMT Energy është anëtare me të drejta të plota në HUBX, Bursa Hungareze e Energjisë dhe IBEX, Bursa Bullgare e Energjisë si dhe bashkëpunon përmes Ener Trade në gjithë tregun ballkanas të energjisë. “Bled Strategic Forum është një platformë shumë e rëndësishme që sjell së bashku lidershipin politik dhe botën e biznesit në nivel evropian, me një vëmendje të veçantë ndaj zhvillimeve në rajonin tonë. Gjatë Forumit patëm takime shumë të frytshme dhe diskutuam mundësi konkrete bashkëpunimi, veçanërisht në sektorët e telekomunikacionit dhe energjisë. Besoj se bizneset shqiptare duhet të kenë një prani dhe përfaqësim gjithnjë e më të madh në platforma të tilla ndërkombëtare, pasi ato krijojnë ura të drejtpërdrejta komunikimi, partneriteti dhe investimi. Falënderoj organizatorët e Bled Strategic Forum për ftesën dhe mundësinë për të qenë pjesë e këtij dialogu të rëndësishëm,” – u shpreh z. Marin Gjonaj. Gjonaj Group, përmes pjesëmarrjes në platforma të këtij niveli, synon të forcojë më tej praninë dhe rrjetin e tij ndërkombëtar, të identifikojë mundësi të reja bashkëpunimi dhe investimi dhe të kontribuojë në rritjen e profilit të sipërmarrjes shqiptare në tregjet rajonale dhe evropiane. #MarinGjonaj #GjonajGroupHoldings #BledStrategicForum