Gjonaj Group ftohet në GPF Global Flagship Conference Vienna 2026
9 shtator 2026
Kryetari i Bordit të Gjonaj Group Holdings, z. Marin Gjonaj, mori pjesë me ftesë të organizatorëve në GPF Global Flagship Conference Vienna 2026, një forum ndërkombëtar që bashkon drejtues të biznesit, investitorë dhe përfaqësues të lartë institucionalë nga vende të ndryshme. Aktiviteti u zhvillua më 8 shtator në Vjenë të Austrisë dhe mblodhi përfaqësues të rëndësishëm nga biznesi, politika, financa dhe industria. Në qendër të diskutimeve ishin investimet, transformimi i gjelbër, teknologjia dhe inteligjenca artificiale, zhvillimet gjeopolitike, si dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar.
Në program morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve austriake dhe të biznesit ndërkombëtar, mes tyre Alexander Pröll, Sekretar Shteti në Kancelarinë Federale të Austrisë, dhe Peter Hanke, Ministër Federal për Inovacionin, Mobilitetin dhe Infrastrukturën. Diskutimet përfshinë gjithashtu mobilizimin e kapitalit privat për rritje ekonomike dhe transformim të qëndrueshëm, flukset ndërkombëtare të investimeve, qëndrueshmërinë ekonomike dhe rolin e industrisë së teknologjive të gjelbra në zhvillimin ekonomik.
Gjatë qëndrimit në Vjenë, z. Gjonaj zhvilloi takime dhe diskutime me përfaqësues të GPF Global, investitorë dhe përfaqësues të institucioneve austriake të pranishëm në aktivitet. Një vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive të reja për bashkëpunim dhe investime, veçanërisht në sektorin e energjisë. “Takimet me investitorët, veçanërisht me ata që operojnë në fushën e energjisë, ishin shumë të rëndësishme për ne. Synojmë të zgjerojmë bashkëpunimet në këtë sektor, me fokus të veçantë në investimet dhe projektet tona në Ballkan. Forcimi i partneriteteve ndërkombëtare është një element i rëndësishëm i strategjisë sonë të zhvillimit,” u shpreh z. Marin Gjonaj.
Pjesëmarrja në GPF Global Vienna vjen në një periudhë kur Gjonaj Group Holdings po zgjeron më tej aktivitetin në sektorin e energjisë, krahas telekomunikacionit dhe fushave të tjera të biznesit. Grupi është i angazhuar në zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme dhe fotovoltaike në Shqipëri dhe në tregjet e Ballkanit, përmes kompanive të tij dhe partneriteteve ndërkombëtare. INFOTelecom, një prej kompanive të grupit, ka zgjeruar vitet e fundit aktivitetin edhe në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe EPC, me projekte fotovoltaike në Shqipëri dhe zgjerim të aktivitetit në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Bullgari, Rumani dhe Mal të Zi. Austria përbën gjithashtu një treg të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërkombëtare të Gjonaj Group Holdings.Grupi është i pranishëm në tregun austriak edhe përmes bashkëpunimit në sektorin e telekomunikacionit ndërmjet INFOTelecom dhe operatorit austriak A1, duke krijuar një bazë të mëtejshme për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe identifikimin e mundësive të reja për bashkëpunim.